Secondary Adv

Sektori bankar ka investuar gati 1.1 mld euro në Eurobonde të qeverisë shqiptare

Investimet e bankave shqiptare në Eurobondet e qeverisë arritën në rreth 1.07 miliardë euro në fund të vitit 2025, duke shënuar rritje vjetore mbi 11 për qind.

Rritje e investimeve gjatë vitit 2025

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e letrave me vlerë në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancin e sektorit bankar arriti në 103.2 miliardë lekë në fund të vitit 2025, ose afërsisht 1.07 miliardë euro sipas kursit të fundit të vitit. Krahasuar me fundin e vitit 2024, kjo vlerë është rritur me 11.5 për qind.

 

Nëse rritja zhvishet nga efekti i kursit të këmbimit, ajo rezulton edhe më e lartë, pasi euro e mbylli vitin 2025 në nivelin 96.77 lekë, kursi më i ulët historik i regjistruar në fund të një viti kalendarik dhe pranë minimumit absolut prej 96.46 lekësh të shënuar pak ditë më parë. Krahasuar me 31 dhjetor 2024, euro ndaj lekut ra me 1.4 për qind.

 

Pesha në aktive dhe ekspozimi ndaj qeverisë

Pesha e Eurobondeve në bilancin e sektorit bankar arriti në 4.4 për qind të totalit të aktiveve, nga 4.3 për qind një vit më parë. Duke përfshirë edhe letrat e borxhit në lekë, ekspozimi total i bankave ndaj qeverisë shqiptare përbënte 26.9 për qind të aktiveve, në rënie të lehtë nga 27.1 për qind në fund të vitit 2024.

 

Duke qenë se stoku i përgjithshëm i Eurobondeve të emetuara dhe të pashlyera në fund të vitit 2025 ishte rreth 2.55 miliardë euro, rezulton se sektori bankar zotëronte afërsisht 42 për qind të këtij portofoli.

 

Likuiditeti në euro dhe kufizimet rregullatore

Interesi i bankave për këto instrumente është rritur në vitet e fundit, pasi ato kanë ofruar kthime të favorshme në një periudhë me norma shumë të ulëta interesi për monedhën euro. Në disa emetime, investimi është lehtësuar edhe nga kushtet e përkohshme të miratuara nga Banka e Shqipërisë, që kanë lejuar ponderim më të ulët të rrezikut për efekt të llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit.

 

Rritja e depozitave në valutë ka krijuar likuiditete të konsiderueshme për bankat. Në fund të vitit 2025, depozitat në euro arritën në 8.75 miliardë euro, në rritje me 8.7 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, kuadri rregullator e bën më të kushtueshëm kreditimin në valutë për subjektet me të ardhura në lekë, duke kufizuar zgjerimin e kredisë në euro për sektorin privat. Në këtë kontekst, Eurobondet kanë shërbyer si një instrument për thithjen e likuiditeteve të lira në valutë të sistemit bankar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat